Back to Activities Girls in ICT

April 15, 2022

IPKO Foundation dhe RIT Kosovo sjellin edicionin e 7-të të Konferencës “Girls in ICT”

A e keni ditur se sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit është një ndër sektorët që po zhvillohet më së shpejti në Kosovë, krahasuar me të tjerët. Me popullatën me moshën mesatare më të re në Evropë, Kosova mbetet një nga vendet me potencialin më të madh për zhvillimin e këtij sektori, i cili njëherëshit konsiderohet prej të paktëve me bilanc pozitiv tregtar në vend. Sektori i lartpërmendur po ashtu mbetet një ndër më të dalluarit edhe në eksportimin e shërbimeve në tregun ndërkombëtar. Sipas një raporti të publikuar nga STIKK në qershor të vitit 2021, 89.19 % e kompanive që kanë qenë pjesë e studimit, eksportojnë shërbimet e tyre. I njëjti raport vë në pah rolin kyç të grave dhe vajzave në zhvillimin e këtij sektori.

Megjithë entuziastin për përfshirjen e grave dhe vajzave në këtë sektor, i njëjti shpeshherë ka qenë jo i barabartë, ku deri vonë, janë numëruar gra të pakta të angazhuara në kryerjen e punëve më teknike apo emërimin në pozita të larta menaxhuese. Për t’i orientuar në karrierë, inspiruar dhe për të fuqizuar vajzat në industrinë e TIK-ut, IPKO Foundation sjell Konferencën “Girls in ICT 2022”, e cila këtë vit shënon edicionin e 7-të me radhë. Kjo konferencë organizohet nga IPKO Foundation në bashkëpunim me A.U.K - Training and Development Institute, me mbështetjen e U.S. Embassy Pristina, Kosovo dhe mbahet më 28 Prill, 2022, duke filluar nga ora 09:00, në Kampusin e RIT Kosovo [AUK].

Konferenca, e cila organizohet në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit, me temën “Qasje & Siguri” kontribuon direkt në edukimin e qindra vajzave në fushën e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit, përmes fjalimeve inspiruese, punëtorive interaktive dhe panairit të punës. Po ashtu, konferenca u mundëson grave dhe vajzave të thyejnë stereotipet dhe të kontribuojnë në formësimin e shoqërisë përmes teknologjive transformuese, të promovojnë inovacionin, fuqizimin e të rinjve dhe të kenë qasje direkt në punësim.

Çka do të ndodh gjatë Konferencës “Girls in ICT 2022”?

Në këtë konferencë kemi ftuar folës lokalë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe private, OJQ dhe individë të cilët janë të përfshirë në fushën e TIK-ut, ku të gjithë punojnë drejt fuqizimit dhe përfshirjes së vajzave dhe grave në fushën e teknologjisë.

Përveç fjalimeve inspiruese, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përfitojnë aftësi të lidhura me lidership dhe TIK, përmes tri punëtorive, si në vijim:

1) IoT (Connecting Things Arduino Raspberry PI)

2) GIS (Geographic information system)

3) Cybersecurity White hat

Panair Pune: Ne kemi ftuar kompani dhe OJQ, të cilat punojnë në fushën e TIK-ut dhe të tjera, që të ndajnë me ju përvojat e tyre, të ofrojnë këshilla për orientim në karrierë dhe mundësi pune për pjesëmarrëset.

Nëse jeni entuziastë të teknologjisë apo dëshironi të bëheni pjesë e një komuniteti shumë aktiv në këtë fushë, presim t’ju takojmë më 28 Prill. Të gjitha vajzat që bëhen pjesë e konferencës dhe punëtorive do të përfitojnë gift gard nga AUK TDI për trajnime online.

Regjistrohu KËTU

Data e fundit për aplikim dhe regjistrim: 24 Prill, 2022