Back to Activities Upshift

August 24, 2021

Të rinjtë e grupit ‘Art n’Thes’ që krijuan 50 shilte për bashkëmoshatarët e tyre

‘Art n’Thes’ janë një grup i të rinjve, të cilët në kuadër të projektit të tyre kanë krijuar 50 shilte apo siç njihen ‘bean bags’.

Ideja e tyre për krijimin e këtyre shilteve ishte projektuar në fillimet e pandemisë COVID-19, kur në mbarë botën ishin reduktuar shumë aktivitete, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit. E njëjta ndodhi edhe nëpër qendrat edukativo-korrektuese në Kosovë ku shumë aktivitete u ndërprenë e shumë të tjera u redaktuan, shkaku i kësaj pandemie.

Megjithatë, të rinjtë e grupit ‘Art n’Thes’ përmes projektit të tyre, arritën që ta zbehin ndikimin e kësaj pandemie brenda qendrave të tilla, duke krijuar hapësira rekreative ku bashkëmoshatarët e tyre mund të kalojnë kohë kualitative, duke lexuar apo duke ideuar projekte të reja. Këto hapësira rekreative me shilte dhe me libra nëpër rafte përreth, padyshim rrisin kreativitetin e këtyre të rinjve.

Kësisoj, qindra të rinj përfituan nga projekti i grupit ‘Art n’Thes’, të cilët të nxitur nga nisma për të përmirësuar jetën në komunitetin e tyre, kishin vendosur të marrin pjesë në punëtorinë UPSHIFT, e cila organizohet nga IPKO Foundation, me mbështetje të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim në Kosovë (ADC).

Me pjesëmarrjen në këtë punëtori, këta të rinj ndër të tjerash kishin zhvilluar edhe aftësitë e tyre të përdorimit të makinës së qepjes dhe pajisjeve të tjera, të nevojshme për krijimin e këtyre shilteve.

Deri më tani, ata kanë arritur që të krijojnë dhe të shpërndajnë 50 të tilla, falë të cilave janë krijuar hapësira të rehatshme dhe janë gjallëruar këndet e leximit nëpër qendra korrektuese në Kosovë.

“Ne kemi mendu me i kriju këto ‘bean bags’ edhe me to me ndreq këndin e leximit që e kemi pas në Qendër, sepse qëndrimi në këta thasë na ka ba me u ndi shumë më rehat edhe më të lirë, sepse e kemi kalu kohën në ta”.

Këta të rinj shprehen jashtëzakonisht mirënjohës për përkrahjen që patën nga IPKO Foundation dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë për ta sjell në jetë projektin e tyre.

“Ne jemi shumë të kënaqur dhe shumë falënderues ndaj të gjithë atyre që na kanë mbështetë dhe na kanë jep kurajo që me ju kallëzu krejtve që ne vlejmë, dimë dhe mundemi”.

Me punë, vullnet dhe përkushtim gjithçka është e mundur. Ky është mesazhi që po përçojnë këta të rinjtë tek të gjithë bashkëmoshatarët e tyre, të cilët po i frymëzojnë që të bëhen ndryshimi që duan të shohin në komunitet.

 “Për fund, lus të gjithë të rinjtë që të ndjekin ëndrrat e tyre, këshillat e të tjerëve sepse çdo send i mirë kërkon kohë, mund, punë dhe përkushtim. Andaj ndiqni ëndrrat e juaja, filloni të bëni ndryshimin sepse nëse duam ta bëjmë ndryshimin, atëherë duhet të fillojmë ta bëjmë nga vetja.”

Kujtojmë se përveç grupit ‘Art n’Thes’, gjatë tërë muajit gusht kemi pasur mundësinë që të shohim për së afërmi punën e shumë grupeve të të rinjve, të cilët kanë arritur që të realizojnë produkte unike nga më të ndryshmet dhe të drejtojnë fushata vetëdijesuese për tema që na shqetësojnë si shoqëri.

Më 16 gusht kemi lansuar edhe gjashtë kampanja të të rinjve vullnetarë për promovimin e mbrojtjes së mjedisit dhe promovimin e platformës online shkollat.org. Këto grupe të të rinjve po vazhdojnë të jenë aktive gjatë tërë Muajit të Rinisë dhe nga fushatat e tyre po përfitojnë mijëra njerëz nga komunat si Gjilan, Lipjan, Obiliq dhe Gjakovë.

Jo vetëm në kuadër të Muajit të Rinisë, por në vazhdimësi IPKO Foundation së bashku me partnerët e tij do të vazhdojë të fuqizojë të rinjtë dhe t’ju japë atyre mundësi për përvetësimin e aftësive dhe shkathtësive të tyre, duke ua bërë më të lehtë tranzicionin nga shkolla në tregun e punës.