Back to Activities Podium

Storia e të rinjve nga Gjilani që po luftojnë bullizmin nëpër shkolla

Bullizmi është një nga dukuritë negative më të shpeshta dhe më shqetësuese nëpër shkolla, thuajse në gjithë botën. Kjo dukuri negative është prezente edhe në Kosovë, ku të rinj të moshave të ndryshme ndihen të bullizuar nga bashkëmoshatarët e tyre.

Të përballesh me bullizimin nuk është e lehtë, ngjashëm si nuk është e lehtë ta luftosh atë. Por, e vështira nuk nënkupton të pamundurën. Përkundrazi, kjo nënkupton se dukuria si e tillë mund të shuhet vetëm nëse luftohet kolektivisht nga të gjitha moshat, gjinitë, përkatësitë etnike apo fetare, pa dallim.

Rreze Morina, Drion Shaqiri, Viola Kosumi dhe Leon Latifi, nxënës të Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” në Komunën e Gjilanit janë të rinj në moshë, por kjo nuk i pengoi që ta luajnë rolin e gardianit për bashkëmoshatarët e tyre që po përballen me bullizimin.

Të udhëhequr nga vullneti dhe dëshira e madhe për eliminimin e kësaj dukurie duke nisur nga shkolla e tyre, ata morën pjesë në punëtorinë PODIUM, e cila i mëson të rinjtë dhe adoleshentët se si të avokojnë për të drejtat dhe nevojat e komuniteteve të tyre, duke kontribuar përmes organizimit të fushatave vetëdijësuese.

Kjo punëtori organizohet nga IPKO Foundation, me mbështetje të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe Agjencia Austriake për Zhvillim në Kosovë (ADC).

-          “Implementimi i këtij projekti kundër bullizmit për ne ka qenë eksperiencë interesante dhe sfiduese. Problemi, i cili na ka shtyrë ta implementojmë këtë projekt ka qenë bullizmi i ushtruar mes nxënësve të shkollave të Gjilanit. Duke parë se si kjo dukuri po ndikonte edhe në shëndetin mendor të nxënësve, ne si ekip vendosëm që ta implementojmë projektin dhe ta rrisim vetëdijësimin ndër nxënës që ata të mos jenë ushtrues apo viktima të bullizmit”.

Projekti kundër bullizmit pati ndikim pozitiv tek të rinjtë e Gjilanit. Këtë e dëshmon suksesi që pati me muaj të tërë fushata e këtyre të rinjve, të cilat ata i shpalosën në këtë artikull për IPKO Foundation.

-          “Punëtoria PODIUM na ka ndihmuar ta zhvillojmë projektin si me anë të këshillave në aspektin e realizimit, ashtu edhe në aspektin financiar. Deri më tani, ne kemi arritur të realizojmë një mural dhe një video-mesazh ku flasin rreth bullizmit: Z. Bekim Mustafa - Drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, Znj. Vjollca Zymberi Devaja - Psikologe dhe profesoreshë e Psikologjisë, Znj. Fortuna Blakaj - Zyrtare Policore dhe Z. Nazim Gagica - Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit – Gjilan”.

Të rinjtë e grupit “Mos m’shkel” kanë një mesazh për të gjithë të rinjtë në Kosovë, se si mund të bëhen shembull dhe të aspirojnë për mirëqenien e bashkëmoshatarëve të tyre dhe komunitetit ku ata jetojnë.

-          Këshilla jonë është që të rinjtë t’i ndjekin këto aktivitete, sepse ju ndihmojnë shumë personalisht dhe nga mësimi që marrin nga kjo përvojë, ata mund të kontribuojnë në ndryshime për të mirë në komunitetin e tyre”.

Rrezja, Drioni, Vlera dhe Leoni pritet ta shpalosin punën e tyre dhe të jenë mjaft aktiv edhe gjatë muajit gusht, i cili edhe këtë vit u është rezervuar të rinjve në Kosovë, sepse pikërisht data 12 e këtij muaji shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Muaji i Rinisë në Kosovë zyrtarisht është lansuar dje (3 gusht), në një ceremoni të organizuar nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Organizata IPKO Foundation është partner implementues në aktivitetet që po organizohen për shënimin e këtij muaji.

Pjesë e ceremonisë së djeshme përveç grupit “Mos m’shkel”, ishin edhe disa grupe tjera përfituese të Punëtorisë PODIUM. Këto grupe shfaqën kampanjat, të cilat janë duke i implementuar për të avokuar për tema të ndryshme.

Gjithashtu në kuadër të Muajit të Rinisë, me datat 05 dhe 06 gusht, do të mbahet edhe një edicion i PODIUM-it ku do të marrin pjesë rreth 70 pjesmarrës.

Pas kësaj punëtorie dy ditore, do të kemi 6 kampanja të ndryshme vetëdijësuese të të rinjve, të cilat mbështeten nga IPKO Foundation, në kuadër të së cilave do të organizohen aktivitete të ndryshme, në të shumtën e rasteve nëpër hapësira publike, si sheshet.

Kampanjat që do të mbështeten nga IPKO Foundation do t’i përshtaten sloganit të këtij vitit për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, i cili është: “Transformimi i Sistemeve të Ushqimit: Inovacioni i të Rinjve për Shëndetin e Njerëzimit dhe Planetit”. Slogani këtë vit vë theksin te ndryshimet e mëdha globale në mjedis, të cilat nuk mund të ndodhin pa pjesëmarrjen e plotë të të rinjve.

Fokus gjatë këtij muaji do të ketë edhe promovimi i i platformës së UNICEF-it për mësimin në distancë ‘shkollat.org’.