Back to Activities Girl Child Day

October 8, 2021

Këtë vit, ‘Ditën Ndërkombëtare të Vajzës’ e shënojmë me Punëtorinë “Inteligjencë Artificiale & Mësim i Makinerisë”

Për të shënuar 11 Tetorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë, IPKO Foundation, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe Programin “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” [ASSET] të USAID Kosovo, do të organizojë një punëtori virtuale dy ditore me temën “Inteligjencë Artificiale & Mësim i Makinerisë”.

Nga qindra aplikues, tashmë janë përzgjedhur 50 prej tyre, të cilët do të ndjekin këtë Punëtori që po organizohet në bashkëpunim edhe me Shkollën Digjitale përmes Platformës Online ZOOM, në dy orare të ndryshme që do zgjasin rreth 3 orë në ditë. Punëtoria do të mbahet në datat 11 dhe 12 Tetor, 2021.

Pjesëmarrësit e moshave të ndryshme, gjatë ditës së hënë, do të kenë mundësi të dëgjojnë fjalimin inspirues të Zana Buçincës, e cila do të ndajë storien e saj te suksesit, si dhe do t’i motivojë të rinjtë, veçanërisht vajzat që të ndjekin ëndërrat e tyre dhe të luftojnë paragjykimet apo barrierat në të cilat mund të hasin në rrugëtimin e tyre drejt këtyre fushave.

Kush është Zana Buçinca?

Zana Buçinca është hulumtuese dhe studente e Doktoraturës në Universitetin e Harvardit në lëminë e Inteligjencës Artificiale. Ndër punimet e shumta, Zana ka zhvilluar sisteme të inteligjencës artificiale që marrin parasysh emocionin e bashkëbiseduesit gjatë prodhimit të përgjigjes. Aktualisht, puna e saj përqendrohet në zhvillimin e sistemeve efektive socioteknike, si dhe përgjegjshmërine dhe paanësine e vendimeve algoritmike.

Punimet e saj kanë rezultuar në publikime shkencore të botuara në revista dhe konferenca prestizgjioze. Ajo ka fituar çmime të shumta, përfshirë një ‘Best Paper Award’ në 2020 që, ndër qindra punimeve, i dhurohet punimit shkencor me impakt më të madh në konferencën ‘Intelligent User Interfaces’.

Gjatë verës së vitit 2021, Zana ishte hulumtuese shkencore në Microsoft.

Zana përfundoi studimet e Nivelit Master në Shkencë dhe Inxhinieri Kompjuterike në Universitetin Koç, në Stamboll. Ndërsa, studimet e Nivelit Bachelor i kreu në Izmir Institute of Technology në fushën e Inxhinierisë Kompjuterike. Zana vijoi mësimet e shkollës së mesme në shkollën Mileniumi i Tretë në Prishtinë.

Zana mbështet fuqishëm dhe kontribuon vazhdimisht në lëvizjet që synojnë rritjen e numrit të femrave dhe grupeve të tjera të margjinalizuara në fushën e teknologjisë.

Në punëtorinë “Inteligjenca Artificiale & Mësim i Makinerisë”, pjesëmarrësit do të mësojnë se çka është Inteligjenca Artificiale dhe Mësimi i Makinerisë dhe si t’i aplikojnë njohuritë e tyre në këto fusha në jetën reale. Ata do t’i përdorin këto njohuri në projektet që do t’i zhvillojnë me platformat “Scratch” dhe “Machine Learning for Kids”.

IPKO Foundation po shënon Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë për të shtatin edicion me radhë dhe si organizatë në vazhdimësi ka ndërmarrë iniciativa që të përfshijë vajzat e moshave të ndryshme nëpër aktivitete, duke siguruar trajtim të barabartë për to, si dhe duke u siguruar hapësirën e nevojshme për të shprehur potencialin e tyre të jashtëzakonshëm.

11 Tetori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijës Vajzë, shënohet që nga viti 2012, me qëllimin që të njihen të drejtat e vajzave dhe sfidat me të cilën përballen ato. Këtë vit, kjo ditë do të shënohet nën sloganin “Gjenerata digjitale, gjenerata jonë”, duke e lidhur atë me situatën që ka krijuar Pandemia “CoViD-19”, e cila ka rritur nevojën për përdorim të platformave digjitale për mësim, ku sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një përqindje më e lartë e vajzave në nivelin global, nuk kanë fare qasje në internet.