Back to Activities Digital Kosovo

June 16, 2022

Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi me MPJD në fushën e diplomacisë publike

Drejtoresha Ekzekutive e IPKO Foundation, znj. Abetare Gojani dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla -Schwarz, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi në fushën e diplomacisë qytetare dhe digjitale në Prishtinë.

Ministrja Gërvalla - Schwarz u shpreh optimiste për këtë bashkëpunim mes dy palëve dhe vlerësoi lart përvojën dhe kontributin që Organizata IPKO Foundation do të ofrojë në fushën e diplomacisë qytetare dhe digjitale në Prishtinë.

Ndërsa, Drejtoresha Ekzekutive e IPKO Foundation, Abetare Gojani, tha se memorandumi i sotëm është i një rëndësie të veçantë për diplomacinë qytetare dhe digjitale të Kosovës.

Ajo shtoi se IPKO Foundation do të ofrojë tërë potencialin dhe përvojën që ka në këtë fushë që nga viti 2012, kur edhe lansoi platformën e parë online për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare “Digital Kosovo”.

Ky memorandum ka për synim rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në diplomaci përmes programeve që kanë për qëllim forcimin e rolit të qytetarit diplomat, duke përdorur potencialin që ofron inovacioni teknologjik.

Bashkëpunimi është në linjë me qëllimet e MPJD-së në zhvillimin dhe forcimin e diplomacisë publike dhe qytetare të Republikës së Kosovës.