Back to Activities Design Challenge

October 29, 2021

Filloi gara “Sfida e Dizajnit 2022”, tri vendet e para fitojnë shpërblime

Programi i USAID-it “Përkrahje e Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” (ASSET) në bashkëpunim me Fondacionin IPKO, ju ftojnë të aplikoni në garën “Sfida e Dizajnit 2022”. Gara “Sfida e Dizajnit” synon të frymëzojë të rinjtë të cilët kanë ide të reja dhe inovative për të konkurruar në pesë (5) sfidat për vitin 2022. U bëjmë thirrje inovatorëve të rinj nga të gjitha shkollat e mesme të larta publike të Kosovës të marrin pjesë në këtë aktivitet garues.

Sfidat në të cilat nxënësit mund të marrin pjesë janë në pesë (5) kategori:
1. Krijimi i videove të karrierës;
2. Krijimi i pajisjes për matjen e nivelit të zhurmës;
3. Krijimi i pajisjes për kursimin e energjisë elektrike;
4. Krijimi i fermës së mençur për rritjen e bimëve;
5. Zgjidhja e një problemi në shkollë.

Si mund të merrni pjesë në garë?

Shkollat që dëshirojnë të aplikojnë duhet të shprehin interesimin për pjesëmarrje deri më 19 nëntor 2021 në emailin mali.tefiku@ipkofoundation.org, duke cekur sfidën/sfidat në të cilat do të marrin pjesë.
Shkollat që do të marrin pjesë në garë do të monitorohen nga ekipi i organizatorëve deri më 14 janar 2022, kur pritet finalizimi dhe dorëzimi i punimeve. Projektet më të mira nga secila shkollë do të vlerësohen nga panelet përkatëse.

Shënim:
• Inkurajohen shkollat pjesëmarrëse të krijojnë një ekip të mësimdhënësve mentorë të cilët do t’i udhëheqin nxënësit në realizimin e sfidave;
• Shkollat pjesëmarrëse janë të mirëseardhura të dorëzojnë më shumë se një punim për sfidë.

Shpërblimet: Tri vendet e para nga secila sfidë, si dhe secila shkollë pjesëmarrëse në garë do të shpërblehet me kupon për blerje të pajisjeve shtesë për punë praktike me nxënës. Sfidat mund të shkarkohen në: Design Challenge.

Mirëpresim aplikimet tuaja!


*** Programi “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” financohet nga USAID dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Corp.