Back to Blog Sponsorship Program

December 10, 2021

Galeria 17: Një galeri për lagjen dhe qytetin

Të nxitur nga një skenë e pavarur artistësh të talentuar e të motivuar, pa një sistem të qëndrueshëm arti dhe me një infrastrukturë minimale të artit bashkëkohor, Shtatëmbëdhjetë ka marrë përsipër të ri-artikuloj gjithë veprimtarinë e vet duke e përfshirë edhe Galerinë 17. Shtatëmbëdhjetë (17) është organizatë joqeveritare e themeluar në Prishtinë, Kosovë në vitin 2018, e cila mëton të sjell ndryshime pozitive në shoqëri nëpërmjet mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit. Deri më tani, 17, numëron një mori iniciativash të vetë-organizuara, duke krijuar mundësi për zhvillimin e artit dhe kulturës, si dhe duke inkurajuar qytetarë/e në vend për pjesëmarrje në jetën publike nëpërmjet artit, kulturës, edukimit, qytetarisë aktive dhe përfshirjes.

Ndërkohë që Galeria 17 vjen si dëshirë dhe nevojë për gjithëpërfshirje dhe qëndrueshmëri të një skene artistike në fermentim, ku nevoja për hapësira të reja të eksperimentimit është jetësore. E gjetur jo në qendër, por në njërën nga lagjet më të vjetra të kryeqytetit, Galeria vjen si hapësirë e një guaske që lind me moluskun dhe rritet, përshtatet dhe transformohet në varësi të nevojave të zhvillimit sikurse edhe hapësira e përbashkët publike reflekton strukturën tonë shoqërore në brendësi të labirinteve të progresit urban. Misioni i Galerisë 17 është të nxit reflektim kritik përmes identifikimit dhe përkrahjes së zërave të guximshëm që mundësojnë këndvështrime të reja përmes praktikave bashkëkohore të artit.

Për të jetësuar galerinë dhe misionin e vet, Shtatëmbëdhjetë nisi kampanjën për mbledhjen e fondeve, ku falë kontributit të 192 mbështetësve  dhe shumë të tjerëve, të angazhuar në prapavijë, u arrit qëllimi i kampanjës.Një prej mbështetësve në jetësimin e galerisë është IPKO Foundation, të cilët besuan në këtë nismë duke na rikujtuar për punën që Shtatëmbëdhjetë bën dhe atë që Galeria 17 do të sjell për gjithë komunitetin artistik dhe përtej. Mbështetja që IPKO Foundation dha për kampanjën e galerisë do të ndihmojë specifikisht për blerjen e pajisjeve teknologjike të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme e funksionalizimit të ekspozitave të cilat do të zënë vend. Përkrahja e tillë do t’i shtojë vlerë këtij projekti dhe do të ndihmojë në ngritjen e zërit për rëndësinë e institucioneve të pavarura dhe gjithëpërfshirëse, të cilat ofrojnë struktura cilësore në shërbim të infrastrukturës së munguar dhe tejet të nevojshme për kontekstin tonë – me synim vet-qëndrueshmërinë.

Andaj, ofrimi i një hapësire gjithëpërfshirëse në kërkime, edukim, aktivizëm, eksperimentime artistike si dhe krijimi i kushteve për përfaqësim të artit dhe artistëve/eve mbetet qëllim në vete.